Intervistë me Ritëm – Emiljan Dhimo

04/10/2014by admin

Emiljan, si e keni nisur karrierën tuaj muzikore?

Karrierën time muzikore e kam nisur në moshën 5 vjeçare. Gjëja më e çuditshme është që unë 5 vjeç pa filluar mirë me muzikën, kam patur prirje për ritmin.

Shumë miq nuk e dinë për këtë. Për herë të parë kam shoqëruar muzikë në plazhin e Golemit. Po jepej festivali i TVSH dhe unë seç gjeta 2 thupra dhe fillova të ndiqja muzikën në një stol me ritëm të saktë.

Babai im që ishte piktor u habit dhe vendosi që unë të studioja për muzikë. Kështu në moshën 6 vjeçare konkurova për violinë. E kam filluar shkollën fillore tek Dëshmorët e Lirisë, dhe më pas në Lice ku kalova dhe për violë. Baterinë e kam filluar në vitin e tretë në Lice duke i rënë tavolinave si shoqërues i këngëve. Në vitin e katërt krijuam një grup muzikor që përbëhej nga 2 kitarra, unë në bateri dhe një tastierist. Pak më vonë erdhi dhe një saksofonist. E lezetshmja ishte që unë isha për violë dhe luaja baterinë, kitaristi ishte flautist, bassisti ishte kontrabasist dhe saksofonisti ishte për oboe. Gjithsesi, unë studimet e mia i mbarova për violë pranë Institutit të Lartë të Arteve.

Në atë kohë, bateria, saksofoni si dhe tastiera ishin instrumente shumë të diskriminuara, dhe ishin shumë të aneksuara. Rreth fundit të viteve ’80, unë vazhdoja studimet si dhe luaja në grup, i cili në 1987 u drejtua dhe nga Selim Ishmaku, ku bëmë një kolazh orkestral me muzikë shqiptare të përpunuar nga grupi ynë. Mbas ’90 nisi dhe koha e flokëve të gjatë, por unë zgjodha të lëvizja nga Shqipëria dhe nuk u ndava nga muzika dhe më së fundmi arrita të realizoj ëndrrën time, të studioja baterinë, dashurinë time të parë :). Aty mbarova konservatorin “Filippos Nakas” në Athinë, morra dhe kurse private dhe fillova të punoj në muzikën jazz dhe të luaja në live të ndryshme në atë qytet. Gjithashtu nisa të punoja dhe në studio si inxhinier, por pas shumë vitesh fillova të ndjeja që më pëlqente më shumë puna live se sa në studio. Nga Greqia u largova për në Amerikë, ku jeton dhe vëllai im, një bassist shumë i talentuar i niveleve botërore. Për atë vit që kam qenë në Amerikë (Boston), kam luajtur më shumë jazz, funky jazz dhe pak latin jazz.  2009 më solli në Shqipëri, pasi morra një ofertë për të punuar në Tv Klan. Kam ardhur në Janar të 2009 në Tiranë dhe diku nga Marsi i 2009 kam nisur dhe bashkëpunimin me Akademinë Hollywood. Jam shumë i kënaqur me Akademinë Hollywood, dhe një shkollë e tillë nuk ekziston në Shqipëri.

 

10496240_10204315094348674_1970777064187914499_o
Emiljan Dhimo

 

Kush artist/grup apo person ju ka inspiruar më shumë në karrierën tuaj?

Si baterist jam inspiruar shumë Benny Greb – nga të rinjtë dhe nga të vjetrit më kanë inspiruar shumë Steve Gadd, Vinnie Colaiuta, Dave Weckl, Tony Williams.

Aktualisht përpos mësimdhënies në Akademinë Hollywood ju keni dhe një band tuajin. Mund të na tregoni diçka më shumë me band?

Unë bashkëpunoj me shumë muzikantë të Shqipërisë dhe të Kosovës, por me ardhjen time në Shqipëri në 2009 dhe deri tani, banda që kam punuar më gjatë është Keli Band. Këto kohët e fundit, luaj në një trio, që quhet Jazz Hess Impact Fusion. Kurse në Kosovë kam bashkëpunuar me Visar Kuçin dhe Don Ramadanin, dhe jam në pritje të një bashkëpunim me Visar Kuçin dhe Ilir Bajrin etj.

Na tregoni për ndonjë eksperiencë nga koncertet tuaja live.

Në Boston kam patur eksperienca shumë të bukura, ku një nga muzikantët e band ishte dhe vëllai im, Ervin Dhimo me të cilin kam në plan një projekt shumë të mirë muzikor për të ardhmen.  Eksperienca ime e fundit që më ka lënë mbresa është nga koncerti i fundit në Berat, për festivalin ndërkombëtar Jazz and Wine.

Çfarë është për ju mësimdhënia në Akademinë Hollywood?

Mësimdhënia është shumë e bukur por dhe e ndërlikuar. Një nga kënaqësitë që kam është kur punoj me studentë të talentuar, të cilët më frymëzojnë goxha.

Ju çfarë vlerësoni në një student?

Vlerësoj Talentin dhe gjithashtu vlerësoj shumë se sa i/e apasionuar është pas instrumentit.

Kush janë disa nga kompozitorët apo grupet tuaja të preferuara?

Ah, këtu ka shumë! Unë kam shije nga periudha të ndryshme të jetës sime, ku kam dëgjuar dhe zhanre e artistë të ndryshëm. Ama, një nga më të preferuarit është Herbie Hancock, gjithashtu John Scofield, Miles Davis dhe John Coltrane.

Ju vetë sa orë praktikoni në ditë?

Unë e kam si rregull që çdo ditë të praktikoj minimumi 2 orë në bateri.

Mund të na thoni një këshillë të fundit për të gjithë muzikantët e rinj?

Shumë dashuri dhe pasion për muzikën, është ajo që i nevojitet çdo muzikanti të ri.

Shumë Faleminderit!

Tetor 2014. ©Akademia Hollywood.     Intervistoi: Gresa Sulstarova

Kontaktoni
Rruga Qemal Stafa 206, Tiranë
069 22 11158
Email