Muzika është Dashuri, intervistë me Iris Hasanin

01/11/2014by admin
1610091_10202586129268025_1030431673824944935_n
Gjatë emisionit në Tv Klan

1.  Si e keni nisur nisur karrierën tuaj muzikore?

Në moshë të vogël, kur isha vetëm gjashtë vjeç dëshira ime për të qenë pranë gjithçkaje të bukur tërhoqi vëmendjen e prindërve të mi. Më pëlqente shumë të dëgjoja muzikë të organizoja spektakle dhe t’i prezantoja, të imitoja, të recitoja, të kujdesesha për lulet, madje dhe të flisja ndonjëherë me to fshehur. Të gjitha këto detaje ishin shtysë për të vendosur drejtimin që do të merrte jeta ime. Kështu, në moshën shtatë vjeçare fillova studimet në Liceun Artistik të qytetit të Korçës, aty ku u njoha për herë të parë me instrumentin e pianos. Që prej asaj moshe përkushtimi dhe dashuria për pianon u bë pjesë e pandarë e imja. Kjo është dhe arsyeja pse kjo lidhje e veçantë me piano vazhdon ende, edhe sot.

2. Kush artist, grup apo person ju ka inspiruar më shumë në karrierën tuaj?

Frymëzimi im vjen gjithmonë nga dashuria.

Pa diskutim familja dhe gjithçka ata më kanë dhënë, janë burimi kryesor.

906215_10202570785204433_2097473101560573429_o
Me pedagogen dhe miken time Ina Petrollari

3. Aktualisht përpos mësimdhënies në Akademinë Hollywood ju jeni e aktivizuar në disa aktivitete të ndryshme. A mund të na tregoni më shumë rreth tyre?

Aktiviteti im artistik është relativisht i pasur. Ai përfshin kryesisht lojën në formacione të ndryshme të muzikës së dhomës. Këtu mund të përmend një “tour” koncertesh nepër Shqipëri me trio: Piano, Violinë, Korno; dhe duo me Piano, Violonçel. Një eksperiencë e veçantë është dhe pjesëmarrja në spektaklet me përmbajtje muzikore të organizuara nga TV Klan si : Gjeniu i Vogël,Këngët e Shekullit dhe 100 Vjet Muzikë.

4. Na tregoni diçka lidhur me eksperiencat tuaja në evente live.

Të gjitha daljet në skenë kanë veçantinë e tyre. Koncertet ku unë marr pjesë janë gjithmonë live. I tillë është dhe emocioni, i drejtpërdrejtë, i gjallë e i veçantë, Nuk ka gjë më të bukur se sa të luash në një skenë ku je vetëm ti dhe pianoja. Një sallë koncerti, e mbushur plot me duartrokitje të një publiku që është aty për të dëgjuar muzikën tënde, është një mrekulli.

5. Çfarë është për ju mësimdhënia në Akademinë Hollywood?

Kur u bëra pjesë e Akademisë Hollywood kisha disa vite eksperiencë mësimdhënieje, por me kënaqësi pohoj se të qenit pjesë e stafit të kësaj shkolle është një kënaqësi më vete. Pranë këtij mjedisi kam gjetur një klimë të ngrohtë, shumë art, harmoni dhe mbi të gjitha energji dhe dëshirën e stafit për të kultivuar çdo bulzë talenti që shfaqet tek studentët e kësaj shkolle. Dua të theksoj, se dhe nga ana profesionale, kam përfituar mjaft, pasi kontakti me natyra e karaktere të ndryshme të imponon sjellje e mënyra të ndryshme mësimdhënieje.

10506888_10203038145448147_2584059612462655558_o

6. Ju çfarë vlerësoni në një student?

Tek një student vlerësoj seriozitetin dhe këmbënguljen për të arritur qëllimin që i ka vënë vetes në krye të rrugës.

7. Kush janë disa nga kompozitorët apo artistët tuaj të preferuar?

Janë disa kompozitorët e mi të preferuar. Veçoj J.S. Bach dhe me plot gojë them që magjia e muzikës ruse,me kompozitorë si: Rachmaninov apo Tchaikovsky më perfshijnë sa herë qe i dëgjoj apo i luaj. Ndër pianistët e mi të preferuar përmend Helene Grimaud, Martha Argerich, Glenn Gould, Yuja Wang e plot të tjerë.

8. Ju vetë sa orë në ditë studioni?

Për shkak të impenjimeve të tjera mundohem ta organizoj ditën time duke e filluar me minimumi dy orë studim. Në sezon koncertesh, shtimi i orarit të studimit është domosdoshmëri.

9. Mund të na thoni një këshillë të fundit për të gjithë muzikantët e rinj?

Ata që bëjnë muzikë e dinë tashmë fare mirë se sa të lumtur të bën ajo, se sa qejf është të ndihesh i veçantë. Unë në fakt, dëshiroj t’u drejtohem atyre që po mendojnë të hyjnë në botën e muzikës:

Mos hezitoni, por bëhuni pjesë e saj sepse shumë shpejt do të kuptoni dhe zbuloni se sa ngjyra të tjera ekzistojnë në jetë të cilat nuk i kishit vënë re kurrë më parë.

Video nga Koncerti i 5 vjetorit të Akademisë Hollywood

 

Kontaktoni
Rruga Qemal Stafa 206, Tiranë
069 22 11158
Email