Mbi raportet e fëmijëve muzikantë dhe prindërve

17/12/2014by klodeta

Në 5 vite punë në Akademinë Hollywood kam parë dhe njohur mardhënie të ndryshme prindër-fëmijë në mbështjetjen ose jo të kurseve të muzikës.

Ka shumë nga ata që edhe pse fëmijët janë shumë të vegjël, nuk u rrinë në krah gjatë praktikës në shtëpi, duke harruar që një fëmi deri 7-8 vjeç nuk e ka në kulturë të ulet e të mësojë vetë, pasi nuk e njeh këtë proçes.

Kjo bën që fëmijët të ecin shumë ngadalë në mësimin e instrumentit dhe praktikisht të studiojnë në orën e mësimit të tyre.

Një tjetër veçori është ajo e prindërve shumë kërkues. Fëmijët e tyre të edukuar me një stres të vazhdueshëm nga kërkesa e lllogarisë japin rezultatet më të ulta gjatë koncerteve.

Le të kujtojmë që momenti i daljes në skenë ka në fakt një peshë shumë të madhe emocionale dhe gjithashtu dhe një stres të madh mendor.

Imagjinojeni veten 8 vjeç në një skenë ku jeni vetëm me instrumentin tuaj (le të marrim për shembull kitarrën) dhe përpara jush janë 200 – 300 persona, pak a shumë 600 sy që ju shohin. Por, e gjithë frika e këtyre fëmijëve janë pikërisht prindërit e tyre.

Fillojnë emocionohen më shumë, fillojnë djersisin dhe në momentin kur fillojnë të luajnë, nga pesha e mendimeve të shpejta dhe të shpeshta që u vinë në mendje, gjenden të paaftë për t’u përqendruar në pjesën që do luajnë dhe gabojnë.

Ama, një gabim në skenë për ta është thuajse fatal. Ata e mendojnë si dështim apo si diçka të turpshme që kanë bërë.

Muzika luhet. Folja që përdoret për të bërë muzikë është “Luaj”. Dhe për moshat e reja duhet të konsiderohet si e tillë. Të luash muzikë duhet të jetë një tjetër lojë.

Zakonisht fëmijët i luajnë lojërat e tyre deri në perfeksion dhe nuk kanë pse të mos e përçojnë këtë dituri të fituar dhe në lojën e instrumentit të tyre.

Fëmijë të këtillë (pra që e luajnë muzikën për të luajtur lojën e re) hyjnë dhe dalin të qeshur nëpër koncerte. Për ta të luash muzikë ngelet një lojë shumë e bukur.

Kategoria më shqetësuese që unë kam parë gjatë këtyre 5 viteve është ajo e dënimit të nxënësve.

Shpeshherë dënimi përdoret tek nxënësit që janë më të talentuar dhe më të përkushtuar.

Në momente kur këta nxënës gabojnë në jetën e tyre të përditshme, ose marrin ndonjë notë të papëlqyeshme për prindërit e tyre në mësime, nis sezoni i dënimit.

Dhe kam parë shumë raste kur i dënojnë pikërisht në një nga gjërat që ata kanë më shumë qejf, dhe në rastin tonë në kurset e muzikës.

“Fëmija ynë ka rënë nga mësimet, prandaj do e shkëpusim nga kursi i muzikës”.10846125_764545510284421_4676231208319034783_n

Për fëmijën kjo është shumë e padrejtë. Nuk i di tamam vlerat psikologjike të këtij veprimi, ama nëse një fëmi ulet dhe praktikon një instrument, ai tregon vlerat që ka: di të mësojë, di të përkushtohet, di të punojë sistematikisht dhe gjithashtu të krijojë një disiplinë vetjake. Pra, kemi një fëmi i cili di të vlerësojë atë që i pëlqen dhe të punojë mbi të.

Në momentin që prindërit ia heqin këtë të drejtë, ai/ajo fillon humb besimin në vehte dhe më së tepërmi fillon dhe rebelon ndaj shumë subjekteve të tjera.

Nuk mund të jetë kurrë zgjidhja heqja nga kurset ekstra shkollore në të cilat fëmijët ecin shumë mirë, për të arritur rezultate të mira në mësime. Gërshetimi i tyre është ai që do ta ndihmojë fëmijën (pa e vrarë shpirtërisht) për të ecur dhe për të kaluar këtë fazë thuajse të përkohshme të rënies nga mësimet.

Përpara se një prind të marri një vendim të këtillë dënues, duhet ta pyesi veten se “Përse fëmija im ka rënë nga mësimet? Cilat janë arsyet reale dhe më së tepërmi: çfarë e bën fëmijën tim të lumtur?”

Biles, duhet marrë parasysh dhe të mbështeten në punën individuale që ky fëmi bën në instrumentin e tij. Pra, një fëmi që arrin të studiojë vetë sistematikisht instrumentin e tij, duhet vlerësuar shumë dhe duhet parë se si këtë dëshirë që i jep të mësuarit muzikë ti serviret dhe për të mësuar lëndët e tjera shkollore.

Nga shumë raste të këtilla, kthimi i këtyre fëmijëve ka qenë shumë i vështirë në kurset e muzikës dhe thuajse të gjithë ata janë larguar me dëshirë nga kursi, dhe kjo është një rebelim vetjak dhe sidomos një mosdëshirë për pavlefshmërinë që prindërit i kanë parashtruar për kursin jashtëshkollor.

 

Kontaktoni
Rruga Qemal Stafa 206, Tiranë
069 22 11158
Email