Stradivarius

Të kesh fatin të luash në një instrument Stradivarius është një nder dhe një vlerësim shumë i madh!

Kjo sepse ishte krijuesi italian Antonio Stradivari që edhe në ditët e sotme kujtohet si lutjeri i instrumentave më të mira të krijuara ndonjë herë.Antonio Stradivari me origjinë italiane, preferonte që emri i tij të shkruhej e lexohej në latinisht, madje dhe firma e instrumentave të krijuara prej tij të ishte dhe ngelet ende po në latinisht.

Ai ishte një ndër studentët më të dalluar të një tjetër lutjeri të suksesshëm: Nicolò Amati. Madje, studenti i famshëm emërtoi një prej violinave të tij me emrin e mësuesit, violinën Amati Alard.

Violina Amati Alard

Vitet e hershme të punës së Stradivarius nuk ishin gjithmonë magjepsëse. Në fillim të karrierës së tij si gjithkush tjetër ai ishte duke mësuar, ndaj nëse shohim disa imazhe të violinave të tij më të hershme shohim një diferencë të dukshme mes punës së parë dhe punimeve të viteve të fundit. Në vitet e fillimit punimet e violinave nga Stradivarius ishin “piccolo” pra një version më i vogël sesa ai i violinave të zakonshme, ai u largua nga ky stil për një kohë shumë të gjatë për t`ju rikthyer më pas në “Periudhën e Artë”. 

Historiku i emrit të Stardivarius filloi të njihej prej gdhendjes fantastike me të cilën ai personalizonte secilin prej instrumentëve që krijonte.

Gjatë viteve 1700 ishte dhe “Periudha e Artë” për të pasi perfeksionizmi i instrumentëve siç ishte violina arriti majat që ende më sot nuk janë arrirë nga të tjerë.

Ky krijues me famë gjigande gjatë karrierës së tij ka krijuar edhe instrumentë si kitara apo madolina. Me vetëm dy kitara të krijuara ai vendosi të quheshin kitara “Hill” e vitit 1688 dhe kitara “Rawlins” e vitit 1700.  Gjithashtu, Stradivarius ka krijuar dhe mandolina të jashtëzakonshme, dëshmi të shumta tregojnë se ka krijuar disa të këtilla ama në botë ka vetëm dy mandolina që njihen me siguri si punime të vetë Stradivarius.
Punimet e tij kaq magjepsëse mendohet se kanë një faktor ndikues të rëndësishëm, periudha në të cilën druri i përdorur nga Stradivarius për të krijuar punimet e tij, ishte periudhë në të cilën druri i përdorur ishte në fazë rritjeje. Kjo periudhë quhej “Periudha e vogël e Akullit” , mes viteve 1645 deri më 1750. Gjatë kësaj kohe pemët rriteshin më ngadalë dhe si rrjedhojë edhe druri ishte me densitet më të lartë, dhe mesa duket kjo bën diferencë të madhe në tingullin e prodhuar. Shumë studiues mendojnë se ky është sekreti kryesor i punimeve të tij.

Violina “The Messiah”

Por, ende mbetet mister se përse punimet e tij janë kaq cilësore në tingull dhe kaq magjepsëse për këdo që ka patur fatin të luajë në to. Hulumtime të ditëve moderne tregojnë se perfeksioni i instrumentëve të krijuar prej tij ishin për shkak të kombinimit unik të projektimit, materialit të drurit siç dhe e përmendëm më sipër, dhe mjeshtërisë që Stradivari zhvilloi gjatë karrierës së tij të gjatë e të suksesshme.
Një prej violinave më të veçanta dhe më me vlerë monetare që ai krijoi është dhe “Messiah”, kjo violinë qëndroi në dyqanin e Stradivarius deri më 1737 kur ai vdiq. Ajo është në gjendje perfekte ende pasi në të është luajtur shumë pak herë. Violinistë të famshëm që kanë patur fatin ta provojnë dëshmojnë se të luash këtë violinë është eksperiencë e papërsëritshme!

Instrumentet e krijuara prej tij, prej viteve 1600 deri më 1700, konsiderohen ende si më të mirët të krijuar ndonjë herë për shkak të cilësisë së tonit të tyre.

Ishte A.Stradivarius që vendosi standardin e violinave, violinçelëve më të mirë të krijuar ndonjë herë. Modelet e krijuara nga ai janë bërë bazë për instrumentët e përdorur sot.

Thuhet se Stradivarius krijoi rreth 1000 violina gjatë jetës së tij, të cilat sot njihen me emrin Strads. Përdorimi i instrumentave të krijuar prej tij ende në ditët e sotme janë dëshmi e gjenialitetit të Antonio Stradivarit.

 Violina Cremonese:

Violina Napoleon/Molitor:

Kontaktoni
Rruga Qemal Stafa 206, Tiranë
069 22 11158
Email