Intervistë me Pedagogen e Aktrimit, Verjana Abazaj

Verjana Abazaj, Pedagogia e kursit të Aktrimit.

Kur e keni ndjerë për herë të parë dashurinë për artin dhe në veçanti Aktrimin?

Forma e parë e artit që unë dashurova që fëmijë ka qenë libri! Leximi! Që atëherë gjithmonë më ka pëlqyer “fjala”, por çuditërisht kam patur prirje dhe për shkencat ekzakte: matematikë, fizikë, gjeometri, vizatim teknik etj., leximi ka qenë kënaqësi dhe mani, po ashtu dhe garat që bëja për zgjidhjen e ushtrimeve matematike e gjeometrike.

 

Pedagogia e Aktrimit: Verjana Abazaj
Pedagogia e Aktrimit: Verjana Abazaj

Si erdhi aktrimi në jetën tuaj?

Në vitin e  tretë në gjimnazin “Qemal Stafa” mësuesja e fizkulturës më përzgjodhi për të qenë në grupin e aerobisë së shkollës. Pas kësaj mësuesja e letërsisë më përfshiu në grupin e teatrit të shkollës me të cilin ne vendosëm dy shfaqje në skenë: “Pas vdekjes” të A. Z. Çajupi (në rolin e Lulushes) dhe “I sëmuri për mend” i Molier (në rolin e Tuanetës-shërbëtorja). Në ato momente u zgjidh përfundimisht dilema brenda meje: Art apo Shkencë! 

Cili aktor/regjisor ka qënë frymëzim për karrierën tuaj?

Janë të shumtë, megjithatë përpara se t`i përgjigjem pyetjes dua të them që për mua frymëzim absolut sjell puna e grupit. Një klimë e mirë bashkëpunuese garanton një zhvillim të paparashikuar të punës. Meqënëse, si teatri dhe filmi janë sintezë artesh, gjithnjë bashkëpunëtorët kanë qenë frymëzim dhe kanë ndihmuar në evoluimin e ideve të mia.

Lidhur me emrat e aktorëve padyshim përmend Marlon Brando, Meryl Streep, Al Pacino, Robert De Niro, Robin Williams, Anthony Hopkins, Tom Hanks, Jim Carrey, etj,. lista mund të vazhdojë shuuumë gjatë…

Sa për regjisorët sigurisht Alfred Hitchcock – mbreti i suspansës, Steven Spielberg – ndër mësuesit e parë dhe Frank Darabont – me bën të ëndërroj e t`i ndjek ëndrrat.
Të rëndësishëm në zhvillimin tim profesional janë dhe a
ta që kanë ndërtuar shtyllat e shkollës së aktrimit: Konstantin Stanislavsky e Stella Adler.

Ju vetë keni shkruar ndonjë herë pjesë teatrale?

Më pëlqejnë punët e laboratorit, ku sëbashku me aktorët eksplorojmë dhe bashkëpunojmë në ndërtimin e një subjekti duke u nisur nga një situatë e dhënë. Një nga mënyrat e mia të preferuara të mësimdhënies është puna me improvizimin, në të cilën të gjithë ndihen dhe janë pjesë e së tërës. Nëse do më pyesni a ekziston një komedi apo dramë që mban firmën time atëhere përgjigjia është “Akoma jo!” .

Si ndikojnë tek ju emocionet në skenë? Si i menaxhoni ato?

Hmm… emocionet! Janë një mallkim i bukur që më ndjek nga pas! Them që është mallkim, sepse deri në momentin që hipi në skenë jam totalisht nën pushtetin e tyre. Ndërsa në skenë nuk dal unë, por puna ime si regjisore apo mësuese, sado e vogël të jetë… ato janë aty për të më marrë shpirtin, por kthehen në një bekim sapo vë këmbën në skenë pasi e tëra shndërrohet në një energji që do ta përcjell, ta nxjerr nga vetja. E kujt më mirë se publikut mund t`ia bësh një dhuratë të tillë?!

Çfarë është për ju mësimdhënia në Akademinë Hollywood?

Çmallje, shplodhje, përgjegjësi, pasion!

Çmallje, sepse pasi punova shtatë vite si mësuese u shkëputa për një periudhë 4-5 vjeçare dhe rikthimi në mësimdhënie ishte vërtet një çmallje! (… dhe malli të merr për eksperienca të bukura 😉 )

Shplodhje, sepse arratia nga realiteti që ndodh në klasën e aktrimit dhe energjia e studentëve më shplodhin.

Përgjegjësi, sepse si mësimdhënës duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe me ëndrrat që mbjellim në mendjet e studentëve (sidomos fëmijëve). Unë jam e vetëdijshme që jo çdo student do të bëhet një aktor dhe përpiqem që në orën e mësimit studentët të mund të marrin sa më shumë dije që nesër të mund t`i përdorin në shumëçka; Aktrimi mbi të gjitha të mëson të artikulosh vetveten.

Cili ka qënë një ndër momentet më sfiduese të mësimdhënies suaj të cilin e keni gjithmonë në mendje?

Sfidat janë të përhershme dhe nuk i ngjan rasti-rastit… sfida ime e vazhdueshme është t`i udhëheq studentët në çdo orë mësimi të garojnë atë që kanë me vetveten e djeshme. Nëse kjo garë fitohet hera-herës, në çdo orë mësimi, unë them se ja kam dalë… secili ka vështirësi të ndryshme për të kapërcyer!

9. Çfarë ju bën të ndiheni krenare për studentët tuaj?

           Evolimi personal i gjithësecilit më bën të ndihem krenare!

10. Cila është këshilla më e shpeshtë që studentët tuaj dëgjojnë nga ju?

        Veproni! Aktrimi është veprim – Mos fol, bëje! … dhe beso atë që bën!

11. Motoja juaj në rrugëtimin drejt aktrimit ka qenë…

          “Love art in yourself, not yourself in art!” (“Duaj artin brenda teje, jo veten tënde në art”)

Faleminderit!

Posted on: 02/05/2015, by : admin