Shkrim i Fabiola Brahimaj

Në këtë shkrim të mëposhtëm gjeni reflektime të hedhura në letër nga Fabiola Brahimaj, studente në klasën e Aktrimit të Akademisë Hollywood.

Vijmë në këtë jetë duke qarë, të vegjël, ëngjëj të mbuluar me dashuri. Nuk dimë ç`të bëjmë, nga të shkojmë, pasi nuk dimë të ecim…Por, jeta vazhdoi gjithçka filloi të merrte një rrjedhë tjetër,  ne mësuam të ecnim, në fillim me hapa të vegjël, të pasigurtë dhe me një dorë që na tregonte rrugën e drejtë, që na mësonte se si t’i hidhnim hapat, nga dhe si të vepronim.
Fillimisht ecnim përpara duke i hedhur këmbët andej nga kishim vështrimin; Dhe jeta vazhdoi… Mësuam të ecnim, madje të vraponim, me hapa të mëdhenj, të shpejtë, të sigurtë…por, ndodhi që ne u penguam, u rrëzuam, u lënduam… dhe përsëri u ngritëm! U ngritëm që të fillonim të ecnim sërish. Por sot, ne jo gjithmonë e mbajmë kokën përpara, shpeshherë gjatë udhëtimit tonë e kthejmë kokën pas, shohim atë pak që kemi përjetuar, lëndohemi ose gëzohemi nga ajo që mund të ndodhë, që gjatë kësaj kohe të mos shohim ku i hedhim këmbët dhe…kuptojmë se kemi nevojë për atë dorë që na udhëheq dhe na ndihmon. Por, përsëri ecim para. Ne pengohemi, na pengojnë, pengojmë të tjerët… jeta ngjan me një fushë pengesash që duhen përballuar. Ironia e fatit:”Kush është i zoti, vazhdon dhe ecën përsëri”, por gjithsesi jeta vazhdon sërish…Ne mësojmë nga pësimet tona dhe kuptojmë se koka nuk duhet mbajtur prapa gjithnjë, kuptojmë se duhet të jemi të kujdesshëm ku i vëmë këmbët, kuptojmë se diҫka nuk mund ta kemi kurrë përjetësisht, kuptojmë se pengesat nuk janë barriera të pakapërcyeshme, kuptojmë se pamja shpesh herë të gënjen.

Shumë shpesh mua më ndodh që ta pyes veten nëse jam unë ky person që dëshiroj të jem? E pyes veten a i kam unë ato karakteristika që posedon një njeri për ta bërë jetën e tij kryevepër? Sa prej tyre posejdoj? Pse? Qysh? Kur? Ku?
Janë edhe shumë pyetje të tjera që besoj se jo vetëm mua por edhe shume të tjerëve i mundojnë… Por, përsëri a duhet të pengohemi nga këto pyetje? Mendoj se jo; Jeta është e mbushur edhe me plot pengesa të tjera të cilat ndonjëherë na duken të pamundura për t’i kapërcyer. Por, ndoshta ajo dora që na gjendet pranë në ato momente mund të na ndihmojë sado pak. Jeta na përball me të mira dhe me të këqija , me lehtësira dhe me pengesa, në jetë mund të kemi gjithçka ose asgjë…

Disa vargje të një poezie thonë:

“…Në mundsh të ruash arsyen kur bota humbet fillin e fajin ta hedh ty, e vetes t`i besosh sa herë tek ty dyshojnë e s’të përfillin … Në mundsh të rrish në pritje nga pritja pa u lodhur e kur të të urrejnë, urrejtje të mos ushqesh …”

Këto janë vargje që vërtetë të bëjnë të thellohesh në mendimet e tua. Janë vargje që nuk i heq asnjëherë nga mendja, ndoshta sepse ndikimi që ato kanë mbi mua i bëjnë më të pa lëkundshme në mendjen time. Si këto vargje ka edhe shumë të tjera, vargje që ndonjëherë na bëjnë të mendohemi mirë para se të kryejmë një veprim, para se të marrim një vendim, apo diҫka tjetër.
Jeta është një mister, ҫdo ditë për ne është mister… Por, pavarsisht kësaj, gjëja e fundit që duhet të na shkojë nëpër mend është të dorëzohemi; Pavarsisht situatës apo momentit ku ndodhemi e vetmja gjë që duhet të bëjmë është të ecim përpara, të mos ndalojmë, të mos dorëzohemi …

Posted on: 02/05/2015, by : admin