Rockfest – Fête de la Musique – 20 Qershor 2015

Rockfesti për Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, për të pestin vit, u festua edhe në Tiranë nga Akademia Hollywood. Edhe këtë vit, Rockfest u zhvillua në mjediset e Amfiteatrit të Liqenit. Në datën 20 Qershor, të rinj e të reja, prindër dhe profesorë u vendosën në shkallët e Amfiteatrit në pritje të performancave që do të sillte Rockfest – Fête de la Musique.

Koncerti filloi në orën 6:00 të pasdites dhe zgjati për plot 2 orë e gjysmë. Studentë të ardhur nga klasa në grup e Rock101, studentë të artit të vokalit e ish-studentë të Akademisë Hollywood luajtën përgjatë këtyre orëve këngë Rock e Muzikë Moderne, duke entuziasmuar një publik të tërë.

DSC_0427
Në foto: Ameli Gërbi(tastierë), Gloria Ndoja(vokal), Kleisti Ndoja(Kitara 1), Renis Gjyzeli(Kitara 2)

Për studentët që janë pjesë e orës së Rock101, kjo dalje ishte dhe evenimenti më i shumëpritur përgjatë gjithë vitit. Ndërsa për ish-studentët e Akademisë Hollywood, ata të cilët kanë formuar tashmë dhe grupet e tyre muzikore, mes të cilëve përmendim Road To Nowhere dhe P.M.S, Rockfest ishte një mundësi e mirë për të luajtur e për t’u promovuar edhe më, në një skenë të madhe.

Grupe të ndryshme morrën pjesë:

Fëmijë 10 vjeçarë që luanin Coldplay dhe Creedance Clearwater, në më të rriturit që luanin Pretty Reckless apo Daft Punk.

Skena ishte e hapur për të gjithë muzikantët, kryesisht u luajtën cover të këngëve më të preferuara të muzikantëve.

Në ndryshim nga vitet e tjera, Rockfest – Fête de La Musique, u mbështet plotësisht në buxhetin e Akademisë Hollywood. Kjo, për shkak të vonesës deri në ditën e fundit për Lejen që duhet të merrej nga Bashkia e Tiranës, si dhe për ndryshimin e datës në moment të fundit, gjë që na pengoi të kërkonim për sponsora.

DSC_0875 1
Në foto: Road to Nowhere

Megjithatë, pavarësisht pengesave që hasëm në organizimin e këtij eventi kaq të rëndësishëm, ne nuk mund të lejonim që Rockfest mos të zhvillohej. Ky event është ndër më të dashurit në Akademinë Hollywood, si për studentët po aq dhe për profesorët e stafin organizativ. Ndaj, pavarësisht se tradita kërkon që festa të zgjasë përgjatë gjithë ditës e natës, Rockfest – Fête de la Musique zgjati për orët e pasdites në mënyrë që të festonim me mundësitë që na u gjenden.

Rockfest – Fête de la Musique, i datës 20 Qershor 2015, ishte skena në të cilën puna e shumë orëve mësimi u shpalos për të gjithë audiencën.


Falenderime: 

Falenderojmë pedagogët Elinor Butka, Eltina Minarolli, Erda Kaçeli, Erjon Medha, Klodeta Buzi, Luis Kapllanaj, Julian Koçaj, Vladimir Tota dhe Verjana Abazaj.
Një falenderim i veçantë shkon për prezantuesin Urim Aliaj, i ardhur nga klasa e aktrimit, ai mundi më së miri të prezantonte një event të rëndësishëm;
Falenderojmë fotografen Ana Vesho për gjithë momentet e bukura që ka arritur të kapë me shkrepjen e aparatit.

PËR TË PARË FOTOGRAFITË E SOUNDCHECK SI DHE PËRGJATË KONCERTIT:  PJESA1 dhe PJESA2 

Në faqen tonë zyrtare gjeni dhe foto nga provat në Akademinë Hollywood. 

Kamera jonë u dëmtua pa dashje disa minuta përpara Rockfest, kështu do t’ju luteshim, që nëse keni xhirime nga ky event, të na i dërgoni.

Ju faleminderit

Posted on: 30/06/2015, by :