Intervistë me Erda Kaçeli

“…Piano është jashtë duke pritur të bëhet pjesë e së brendshmes tënde!”

Erda Kaçeli është ndër figurat më të njohura e të dashura në mjediset e Akademisë Hollywood. Ajo është pjesë e administratës së Akademisë Hollywood e gjithashtu është dhe pedagoge e instrumentit të pianos. Gjithnjë e qeshur dhe duke përcjellë energji pozitive me gjithkënd,  ja ç`na tregoi ajo mbi muzikën dhe impaktin që instrumenti i pianos ka në jetën e saj…

Kur e keni ndjerë për herë të parë dashurinë për muzikën e instrumentin, pianon?

Dashurinë për muzikën e kam ndjerë kur kuptova se sa tingull të bukur mund të nxirrte një instrument si piano dhe se si të shpërngulte në një gjendje tjetër emocionale dhe psikologjike.

Si erdhi muzika në jetën tuaj?

403151_4561294164578_1227565517_n

Muzika në jetën time ka ardhur krejt rastësisht.

Një fëmijë 6 vjeç nuk ka ide të qarta në lidhje me të ardhmen apo muzikën (përveç rasteve kur je një fëmijë i veçantë :P), ishte dëshira e prindërve të mi që unë të nisja këtë rrugëtim.

…Dhe një ditë të bukur u gjenda përballë pianos, në një klasë me fëmijë të tjerë.

Cila ka qënë motoja që keni ndjekur në rrugëtimin tuaj në muzikë?

Nuk di nëse kam një moto specifike që mund ta veçoj pasi mendoj se diçka e këtillë gjendet në përditshmërinë e çdokujt. Por, ajo që mendoj tani është se pavarësisht gjithçkaje muzika nuk duhet lënë kurrë jashtë. Në asnjë ditë nuk mund t`i heqësh vetes mundësinë për tu ndjerë bukur, pavarësisht gjithçkaje; dhe nëse mundësia për të luajtur vetë në instrument nuk gjendet, të dëgjosh dhe tejçosh informacion për të është e rëndësishme.

11667219_10206191109088176_1342800592_nCili/a instrumentist/e ka qënë frymëzim për karrierën tuaj?

Nëse do të flasim për muzikën klasike janë disa pianistë, më mirë të them artistë, që më çojnë në një tjetër nivel emocional dhe më frymëzojnë për më shumë. Mund të përmend emra si Martha Argerich, Helene Grimaud, Daniel Barenboim, Sviatoslav Richter, Evgeny Kissin, por ka dhe shumë të tjerë.

Së fundmi jam njohur me një pianiste ukrahinase-amerikane që më ka pëlqyer shumë, Valentina Lisitsa; më shijon shumë të dëgjoj lojën e saj.

Cili është momenti më sfidues në mësimdhënien tuaj?

Mësimdhënia është një pjesë shumë e rëndësishme dhe e bukur për mua. Sfidat janë të përditshme duke qënë se profesioni të përball me studentë të cilët janë shumë të ndryshëm. Si pedagogë duhet të përshtatemi psikologjikisht me ta dhe mbi të gjitha me shijet e tyre muzikore. Sfidë e përditshme dhe e përhershme është të kem studentë që vijnë të lumtur dhe të interesuar në klasë.

Ç’ju bën të ndiheni krenare për studentët tuaj?

Momentet e krenarisë janë të shumta; Aq sa më vjen keq që ndonjëherë ikin shpejt, pavarësisht se zëvendësohen me të tjera. Moment i bukur është kur studentët luajnë të lumtur e të qetë në skenë dhe sidomos kur e shijojnë atë në koncertet që Akademia Hollywood organizon gjatë vitit. Gjithashtu, ndihem krenare për çdo student që bën pyetje specifike apo të veçanta kur jemi duke përgatitur ndonjë pjesë; në të tilla momente mendoj që u kam zgjuar dëshirën dhe kuriozitetin për tu thelluar më shumë në botën e bukur të muzikës.

Përpos punës si pedagoge, ju punoni edhe në administratën e Akademisë Hollywood. Cilat janë disa nga përparësitë që ky pozicion ju jep në marrdhënien tuaj me studentët e profesorët në këtë institucion?

Puna në administratën e Akademisë Hollywood është një kënaqësi më vete! Ajo çfarë e bën të veçantë apo interesante për mua është fakti që nëpërmjet punës në zyrë unë nuk njoh vetëm temperamentin apo shijet e studentëve të mi, por edhe të studentëve të profesorëve të tjerë, dhe për mua kjo pjesë është shumë e rëndësishme. Në formatin e punës sonë kjo gjë na lehtëson punën në vazhdim; duke shtuar dhe faktin që unë vetë marr informacione të reja nga ta në lidhje me botën e muzikës.
Mendoj se të kesh një punë është përgjegjësia dhe e përditshmja e çdo adulti, por të kesh një punë që ti e do, të bën të lumtur dhe të fal emocione që nuk i ngjajnë njëra-tjetrës, kjo është të jesh me fat! Unë e quaj veten me fat që jam pjesë e Akademisë Hollywood.

Meqënëse jemi në muajt e verës dhe studentët pak e nga pak kanë nisur të largohen për pushimet verore, çfarë u thoni studentëve për këtë periudhë që ka të bëjë dhe me shkëputjen nga instrumenti?

Ah! Kur vjen vera të gjithë bëhen nga pak dembel, të gjithë e duam shumë plazhin! Më kujtohet vetja ime kur shokët e mi shkonin në plazh dhe unë duhet të studioja… Nuk dua që studentëve tu kthehet në një detyrim instrumenti, por mundohem që tu jap një program me të cilin ata të merren gjatë verës, sigurisht pa i cënuar lirinë që u falin pushimet. E rëndësishme është që ata mos të largohen tërësisht nga piano.

Cila është këshilla që dëgjojnë më shpesh studentët tuaj?

Këshilla e përhershme për studentët e mi është ta duan atë që zgjedhin të bëjnë. Të bëjnë pianon pjesë të tyre.

Nëse një këngëtar e ka zërin brenda fizikut të vetë dhe duhet ta drejtojë jashtë për të nxjerrë tinguj të bukur, pianoja është e kundërta: Ajo është jashtë duke pritur të bëhet pjesë e së brendshmes tënde!

 

Posted on: 02/07/2015, by : admin