Kurse aktrimi për fëmijët? Çfarë duhet të prisni

Kur konsideroni të regjistroni fëmijën apo fëmijët tuaj në klasat e aktrimit, cila është arsyeja juaj parësore? Imagjinoni që në atë klasë do të ketë plot fëmijë me vetëbesim, ekstrovertë dhe ambiciozë? Apo imagjinoni fëmijë të talentuar që recitojnë Shekspirin përmendësh si dhe poezitë e Naim Frashërit?

Zakonisht fëmijët që ndjekin klasat e teatrit vijnë me histori të ndryshme dhe rrallëherë takon dikë që di të recitojë sonete të Shekspirit… biles, shumë shumë rrallë.

Klasat edukative të aktrimit/teatrit janë klasa kolektive të cilat duhen konsideruar  ( së bashku dhe me klasa të tjera artistike muzikore) si edukim bazë për çdo fëmijë.

Këto klasa janë aq aftësuese për fëmijët, sa nëse ju do të kënaqeni me shfaqjen e fundvitit, kini parasysh që gjatë procesit për të arritur në atë shfaqje, fëmija apo fëmijët tuaj kanë fituar shumë aftësi të tjera.

 

E folura korrekte

Si fillim mund t’ju tregojmë për të folurin korrekt që një fëmijë mëson në këto klasa.

Në shkollat respektive, fëmijët mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë në një mënyrë të rregullt, pasi këto janë disa nga lëndët themeltare në shkollë. Ama, askush nuk i mëson se si të komunikojnë në mënyrë korrekte me njëri tjetrin, me familjen apo me autoritetet.

Të dish si të bashkëbisedosh, si të tregosh qartë një mendim, si të shprehesh saktë është një aftësi që fitohet dhe një klasë aktrimi ua krijon këtë mundësi. Kjo aftësi është aq e nevojshme në çdo hap të jetës.

Vetëbesim

Nga teknika të ndryshme në formë loje në klasën e aktrimit, fëmijët mësojnë të mos kenë frikë të shprehen dhe kjo u jep më vetëbesim. Gjithashtu dalja në skenë, i ndihmon dhe ata më të turpshmit të çlirohen dhe të jenë më vetvetja në publik.

Gjatë shfaqjes “Ambicia” në Black Box, Tiranë

 

Aftësim Social

Studimet kanë treguar që fëmijët e turpshëm arrijnë të interpretojnë shumë mirë në një organizim social të strukturuar, ku ata kanë një detyrë të paracaktuar. Duke patur një rol specifik në një organizim teatror fëmijët arrijnë të zhvillojnë më shumë aftësi sociale.

Shokë dhe shoqe të reja

Të gjitha klasat e aktrimit janë klasa kolektive, ku fëmijët punojnë në grup. Ata njohin shokë dhe shoqe të reja që mbase në një ambient tjetër nuk do të kishin shoqëri, por një organizim i këtillë kaq special, thyen shumë barriera dhe i jep dritë lidhjeve shoqërore të reja.

Puna në grup

 

Nëse nëpër shkolla, fëmijët ankohen për sa herë kanë punë në grup, ku më të zellshmit përfundojnë së bëri të gjitha detyrat, në klasën e aktrimit puna në grup është thelbësore.

Dhe ajo konsiston në qasjen me aftësi si: bashkëveprimi, dëgjimi i njëri tjetrit, respekti për rradhën, etj.

Kundra Bullizmit

Nëse në një jetë shkollore, idetë kreative të dikujt mund të merren si bazë për një lojë tallëse mes shokësh/shoqesh, në klasat e artit/aktrimit kreativiteti dhe shprehja individuale e gjithësecilit janë shumë të vlerësuara.

Krijmtaria

Fëmijët që ndjekin klasat e teatrit, jo vetëm që mësojnë të interpretojnë skeçe dhe pjesë, por atyre u kërkohet gjithashtu të krijojnë skeçe të vogla, të cilat janë një filiz plot vlerë për të ardhmen e tyre.

Dhe sigurisht: Argëtim

Klasat e aktrimit janë aq argëtuese, sa është e vështirë (ju betohem) që të dalin në orarin e mbylljes nga salla e provave. I gjen ende duke diskutuar dhe duke hulumtuar, duke qeshur dhe duke u hedhur – ndërkohë që sheh që kanë kaluar dhe 15 minuta të tjera, por askush nuk e ka vënë re. Askush – flas për pedagogët dhe fëmijët, pasi prindërit zakonisht kanë 15 minuta që presin tek dera 🙂

 

Në Tiranë, tek Akademia Hollywood ju mund të regjistroni fëmijët tuaj në klasat e aktrit që zhvillohen çdo javë atje. Dhe ju siguroj: ju dhe fëmijët do të ngeleni të kënaqur!

Posted on: 21/09/2017, by : klodeta