Rifillon ROCK101!

ROCK101!

Nuk kish si të mungonte edhe këtë vit akademik në Akademinë Hollywood, klasa në grup e ROCK101! Pikërisht kjo orë është një ndër diferencat më të rëndësishme midis Akademisë Hollywood e institucioneve të tjera që ofrojnë kurse muzike. Akademia Hollywood në të gjithë vitet e saj, u ka ofruar studentëve që përveç marrjes së kurseve tradicionale, të kenë dhe këtë mundësi të artë!
Rock101 është klasë në grup, në të cilën instrumentistë të Akademisë Hollywood formojnë një grup të tyrin e mësojnë të luajnë një repertor tërësisht ndryshe nga ajo ç’kanë mësuar deri në momentin që hyjnë në këtë klasë. Ata mësojnë të luajnë ne një band/grup të vërtet të muzikës moderne! E fokusuar në muzikën moderne, kryesisht atë Rock, pjesëmarrësit mësojnë të koordinohen e të ndërveprojnë me njëri tjetrin, por më e rëndësishmja është se ata përjetojnë e kuptojnë realisht çfarë do të thotë të luash muzikë LIVE.

Pavarësisht se në krahasim me vitet e tjera, këtë vit Rock101 do të fillojë me vonesë, studentët e vjetër e të rinj, me punë e përkushtim do të dalin në skenën e ROCKFEST – Fête de la Musique, më 21 Qershor 2015.
Eventi i ROCKFEST është më i rëndësishmi që Akademia Hollywood u ofron studentëve të saj. Pjesëmarrja në këtë event finalizon një rrugë të gjatë e të suksesshme për çdokënd që hapat e parë, në muzikën klasike e moderne, ka zgjedhur t’i mësojë përmes institucionit tonë.
Për këtë kurs në grup kaq të rëndësishëm, ne kemi intervistuar tre nga profesorët udhëheqës të grupeve që janë krijuar ndër vite në Rock101: profesor Elinorin(kitarë), Erjonin(kitarë/bateri) dhe profesor Julin(kitarë).
Ja çfarë kishin ata për të thënë lidhur me mundësitë që ofron ROCK101!

1. Profesorë, të tre ju keni qënë figura udhëheqëse të orës ROCK101 ndër vite. Sipas mendimit dhe eksperiencës suaj, si rriten muzikantët profesionalisht gjatë kësaj klase?

Elinori: Rock101 është deri diku finalja. Si për çdo lloj profesioni, njësoj siç është për një kuzhunier të provojë atë çfarë ka gatuar, ashtu është dhe ROCK101 për muzikantët e rinj. Kjo klasë është momenti ku studenti bie në kontakt me gjithçka që ka mësuar teorikisht e individualisht më përpara; në një farë mënyre i rrit nivelin e intuitës e të të kuptuarit të muzikantëve të tjerë, sensin ritmik e atë improvizues.

Erjoni: Për një muzikant të ri, një ndër elementët më të rëndësishëm për tu formuar e rritur më shumë profesionalisht është pikërisht të qënit pjesë e një grupi; kjo mundësi studentëve të Akademisë Hollywood i jepet pikërisht përmes Rock101.

Juli: Kjo orë i shërben çdo muzikanti! Sidomos të rinjve dhe atyre që janë në hapat e parë në muzikë. Përveç faktit se kjo orë është tejet argëtuese, i jep muzikantëve edukatën e të luajturit me muzikantë të tjerë, pra rregullat, komunikimin mes pjesëtarëve të grupit dhe sjelljet bazë; ndjekjen e ritmit, cili është me më shumë prioritet në volum, stilet, harmonia e të tjera si këto.

2. Cili është profili dhe veçoritë që një student duhet të zotërojë për të qënë pjesë e kësaj ore?

Elinori: Veçoritë janë shumë, megjithatë do të veçoja mbi të gjitha sensin e të dëgjuarit! Me këtë nënkuptoj atë të dëgjuarin e veçantë që e kanë muzikantët e mirë! Është diçka më e thellë sesa thjesht ajo që dëgjon çdokush.

Erjoni: Studentët duhet të jenë të përgatitur mjaft mirë përpara se të ndërmarrin këtë hap! Si profesor i kitarës dhe i baterisë përgatitja konsiston në njohjen e akordeve dhe të zhvilluarit e sensit ritmik, në mënyrë të tillë që të jenë të aftë të luajnë muzikë moderne.

Juli: Sigurisht që nxënësi që kërkon të krijojë e të ndërveprojë në një band nuk mund të jetë një fillestar. Pra, duhet të ketë filluar të luajë realisht në instrument! Për mua një student duhet të njohë minimumi 3-4 open chords (akordet e pozicionit të parë) dhe të arrijë t’i lidhë ato ritmikisht, ose të njohë 2-3 stile të thjeshta me të cilat mund të punojë sëbashku me pjesëtarët e tjerë.

3. Me fillimin e shumëpritur të ROCK101 për këtë vit akademik, ç’mund tu thoni studentëve që do të marrin pjesë për herë të parë?

Elinori: Uroj ta shijoni e ta merrni me qejf këtë eksperiencë kaq të rëndësishme! Suksese të gjithëve!

Erjoni: Jam i bindur se studentët që marrin pjesë për herë të parë pavarësisht veshtirësive, do të arrijnë të ndjejnë shumë shpejt kënaqësitë që të luajturit në grup ofron! Ndaj i uroj suksese të gjithëve dhe shpresoj të mos stepen apo frikësohen nga vështirësitë që mund të hasin gjatë rrugës. Asgjë nuk është e pamundur me punë dhe vullnet!

Juli: Dua t’ju them të gjithëve se janë të mirëpritur në këtë orë nga të gjithë pedagogët e Akademisë Hollywood! Ne jemi gjithmonë të gatshëm që ju të rriteni profesionalisht, ndaj punoni fort dhe mos hezitoni të kërkoni ndihmë për ato që nuk kuptoni!
Kjo eksperiencë është ndër ato që mikson qejfin e humorin me krijimin e aftësive të forta si muzikant, ndaj argëtohuni duke mësuar!

10941508_10203503972263000_8194130208018090661_n

 

Posted on: 02/03/2015, by : gresa