Muzika është lojë!

Të luajturit muzikë që në fëmijëri jo vetëm i ndihmon fëmijët që të arrijnë të shijojnë muzikën më lehtë, por edhe i ndryshon atyre dhe ndërlidhjet në sistemin qendror; këto ndryshime përcjellin zhvillime konjitive të mëtejshme.
Muzika, në fëmijërinë e hershme ndryshon trurin në mënyrë të atillë që edhe si një adult “fëmija muzikant”  të arrijë rezultate më progresive sesa adultët e tjerë që nuk kanë background muzikor.
Studime në këtë fushë mbështesin këtë teori, duke dhënë prova të shumta.
Por, përse jo të gjithë fëmijët angazhohen në kurse muzike?
Ajo që unë mendoj është se shpesh, prindërit, duke lexuar studime të këtilla, marrin përsipër të krijojnë individë të projektuar, pra krijojnë imazhin sesi duhet të jetë fëmija i tyre ndërkohë që harrojnë se muzika në fillim është për t’u ndjerë, jo për t’u rritur me ndryshime më të shpejta të trurit.

75902_534193049986336_1037953764_nNë momentin kur muzika konsiderohet si mjet dhe jo si ajo çka është në të vërtetë, krijohet një barrierë e madhe mes fëmijës dhe tingujve. Këtë boshllëk fëmija do ta mbartë në jetë duke qendruar larg nga pasioni për muzikën.
Kohët e fundit, më ndodh të dëgjoj shpesh se “muzika luhet”, dhe gjithmonë vihem në pozita reflektimi; Pikërisht! Muzika luhet, ajo nuk forcohet dhe sigurisht që nuk mund të dhunohet duke u trajtuar si “mjeti” për të qënë më të zgjuar.
Në një trajnim sëfundmi, profesorë muzike përmendën sesa e vështirë ishte të punosh me fëmijë të cilët prindërit i detyrojnë të ndjekin këto kurse “për të mbushur kohën”. Vështirësia qëndronte pikërisht në faktin që këta fëmijë janë tërësisht të humbur dhe të paqartë në atë që kërkojnë. Të dhunuar të mësojnë apo të detyruar të vijne çdo herë në kurs, këta fëmijë mësojnë të largohen emocionalisht nga instrumenti i tyre; shpeshherë dhe krijojnë ndjenja të forta negative ndaj të luajturit muzikë në përgjithësi.
Muzika nuk duhet të jetë një detyrë, një shtyerje kohe, apo qoftë dhe një hobi i sforcuar; muzika duhet të përcillet në jetën e secilit për atë çfarë është! Muzika është lojë, është ndjenjë, emotivitet; është gjuha universale e të gjithëve.
Ndaj, përse duhet t`ja heqim të drejtën fëmijëve ta shijojnë për atë çfarë është?!
Sado që ne të përpiqemi t`i detyrojmë fëmijët të ulen të studiojnë, ndodh që procesi i bindjes është i pamundur, për të mos folur për rastet kur fëmijët pavarësisht se qëndrojnë një orë mbi instrument nuk arrijnë të studiojnë e të përqëndrohen. Besoj fort se kjo vjen si pasojë e gjithë sistemit që u ndertohet këtyre fëmijëve! Muzika u ofrohet si një kurs në të cilin kërkohet me doemos më e mira prej tyre, u kërkohet me detyrim që të jenë të suksesshëm. Por, ç`quajmë sukses kur përballemi me individë që arrijnë të luajnë çdo notë të saktë por janë të ngurtë e nuk ja dalin dot ta ndiejnë atë çfarë po luajnë? Ku arrijmë ne duke distancuar emocionalisht fëmijën nga loja e muzikës?

Ndaj, jam fort e bindur se mënyra më efikase për të krijuar një individ i cili është pasionant për instrumentin e tij, është duke i ofruar muzikën si lojë, si një argëtim në të cilin pavarësisht se nuk arrihet saktësia që ne u kërkojmë, arrijmë suksesshëm t`i lidhim fëmijët me ndjenjën e asaj çfarë muzika përcjell! Le t’i hapim atyre portat e një bote magjike siç është MUZIKA!

                                                                               

Posted on: 03/03/2015, by : gresa