Si të ndërtosh një plan pune!

Prapë vonë me detyrat? 

Si të ndërtosh një plan pune!

 Në marrëdhënie pune ose shkolle gjithmonë gjendemi përpara detyrave me afate kohore të përcaktuara, ama shpeshherë ndodhemi një ditë përpara afatit të dorëzimit me një gotë kafeje në dorë dhe me shprehjen “Mos më flisni, kam shumë punë!”

Sa herë kam për të dorëzuar diçka (detyrë a projekt) e cila kërkon disa javë kohë, e kam të pamundur mos të shtyj gjithçka për në javën ose ditën e fundit. Dhe ndodh të përjetoj gjendje ankthi e paniku kur zbuloj që koha ecën më shpejt në këto “ditët e fundit”. 

Jam e bindur që shumë nga ata që po e lexojnë këtë artikull kanë qënë të paktën një herë në pozitën time. Dorëzimi në kohë i një pune të prapambetur është një stres më vehte që nuk ia vlen.Para disa kohësh, pedagogia ime më dha një pjesë muzikore shumë të bukur, e më la një muaj kohë për ta sjellë gati në klasë. Një muaj kohë më dukej mëse mjaftueshëm, jo vetëm për të përgatitur pjesën, por dhe për të përmbushur të gjitha planet e mia sociale :)…. Megjithatë vetëm në dy javët e fundit realizova që nuk kisha avancuar, thuajse fare!!!

Pikërisht në ato 2 javë jeta ime personale kishte ngritjet dhe uljet e veta, dhe duke mu bashkuar të gjitha problemet njëherazi ndjeja se duhet të dorëzohesha, madje kisha një dëshire të madhe për t’i dhuruar vetes fjalën “dështake”.

Por, duke u përpjekur të shpëtoja veten nga rrethi vicioz i mendimeve negative dhe mungesës së organizimit, gjeta disa artikuj të dobishëm që më ndihmuan të menaxhoja kohën time e të kisha rezultatin e kërkuar në kohën e duhur! (le të themi, që ende nuk isha ulur në piano, por jetoja në një gjendje të nervozuar e cila kërkonte zgjidhje të menjëhershme)

Mëso të menaxhosh kohën

Të arrish të kontrollosh kohën dhe ta menaxhosh atë është faktori më i rëndësishëm në realizimin e një projekti brenda afatit, ndaj vendosa që për çdo ditë të gjeja orarin e përshtatshëm për të studiuar dhe i qëndrova rigoroze orareve të vendosura.

Bëj një plan dhe ndaje detyrën tënde në segmente më të vogla

Segmentimi është shumë i rëndësishëm. Segmentoni të gjithë projektin tuaj. Segmentoni kohën që ju ka ngelur deri në afatin e dorëzimit. Jepini prioritet segmenteve më të vështira dhe filloni të punoni në fillim me to.

Në rastin tim, ajo që ndodhi ishte se pjesën time muzikore unë e ndava në disa fragmente të vogla. Në momentin që e kisha të qartë sesa kohë do të më kushtonte secili prej këtyre fragmenteve, atëhere vendosa prioritete. E fillova studimin tim me fragmentet më të vështira, ato që do të më kushtonin më shumë në kohë.

Punoni me hapa-segmentë të vegjël, por të njëpasnjëshëm duke vendosur afate kohore për secilin segment të detyrës suaj

Pasi të segmentoni detyrën tuaj, ju mund të përcaktoni afate kohore për secilin segment me qëllimin që përpara afatit final gjithçka të jetë e përfunduar.

Ndaj për secilin nga fragmentet që kisha ndarë në fillim i vura vetes afate kohore. Për faqjen në të cilën ndodhej fragmenti më i vështirë i vendosa vehtes një ditë kohë për ta përfunduar të tërë. Pas dy ditësh duhet të kisha përfunduar dy faqje, e kështu me rradhë…

Respektimi i këtyre afateve është thelbësor në ndërtimin e një pune!

Dita e fundit e punës suaj 

Dita e fundit, pra “Dita e Dorëzimit” nuk mund të jetë DITA E FUNDIT e punës suaj.

Vendosni një afat kohor për vehten: një javë ose disa ditë përpara ditës së dorëzimit.
Dita ime e fundit ishte tre ditë përpara momentit të takimit me pedagogen time. Këto afate vetjake vendosen që pavarësisht gjithçkaje që mund tëndodh në jetën tuaj, ju të keni kohë të gjeni zgjidhje për çdo lloj pengese.
Koha në këtë rast është e paçmueshme, sidomos për të asimiluar projektin që keni bërë, për ta përvetësuar atë dhe për të qenë të aftë ta mbroni. Një projekt që mbarohet dhe dorëzohet në momentin e fundit, është një projekt i cili nuk ka shumë fuqi të qëndrojë në këmbë 🙂

11039489_337417079782155_617250860_n

Punën e sotme, mos e lini për nesër

Siç udhëzon dhe fjala e urtë e sipërpërmendur mos mendoni asnjëherë “Do ta bëj më vonë”. “Do ta bëj më vonë” është pengesa juaj e parë dhe nismëtarja e shumë pengesave të tjera. 

Kërkoni ndihmë tek kolegët/shokët tuaj

Delegoni segmente/punë të vogla në rastet kur puna është tepër e madhe dhe mund të keni shokë a kolegë që mund t’ju ndihmojnë. 

Në rastin tim, unë arrita t’i kërkoja ndihmë dikujt që e kish luajtur tashmë pjesën time; personi në fjalë me ndihmoi duke më treguar disa mënyra për ta thjeshtuar studimin tim.
Diçka tjetër që bëra ishte ta dëgjoja pjesën në internet dhe të gjeja një variant që më pëlqente shumë. Në atë moment e dëgjoja këtë pjesë shumë shpesh, për ta përvetësuar akoma më mirë. 

Ndaj, mos u bëni kryeneç. Nëse ju ofrohet ndihmë, apo keni mundësi për të thjeshtuar punën tuaj, merrni në dorë këto mundësi!

Nuk ka asgjë të keqe në procesin e bashkëpunimit. 🙂 

10% i artë! 

Sikurse në çdo sport, p.sh në një maratonë ku vrapuesi në 10% e fundit jep maksimumin për të rritur shpejtësinë, edhe për projekte apo pjesë muzikore të caktuara 10% i fundit i punës është më i rëndësishmi! Pasi të keni mbaruar gjithçka, është pikërisht lidhja finale e të gjithë segmentëve dhe kontrolli final që ju garantojnë suksesin.

Mendoni pozitivisht për detyrën që ju kanë caktuar

Kur merret përsipër një detyrë pritshmëria është që të përfundohet në një datë të caktuar; shpesh ndodh të përballemi me pengesa të vogla dhe në vend që të jemi duke punuar edhe më shumë  vendosim të mendojmë negativisht. Jo!
Jepini kohë vetes suaj për të brendësuar mendimin se ju do ta realizoni këtë detyrë në kohë. Qëndrimi juaj ndaj detyrës së dhënë është thelbësor për një finale të suksesshme! 

Dhe si përfundim: 

Fat të mbarë e mbani sytë nga kalendari, se koha kalon:) 

Posted on: 12/03/2015, by :